Më pas, Agron Tufa prezantoi librin “Dibra me sytë e të huajve”, i botuar nga Shtëpia botuese “m&b”. Pasi bëri një pasqyrë të shkurtër të librit, Agron Tufa referoi mbi temën: “Alegoria, paravolitë alegorike dibrane”.
Mbi “Vlerat e etnokulturës në Dibër” referoi Prof. Mark Tirta; Dr. Laurant Bica referoi mbi “Fisnikërinë dibrane”; Prof. As. Dr. Adem Bunguri referoi mbi temën “Dibra si njësi e lashtë në konfiguracionin e fiseve ilire. Periudha të ndryshme nga antikiteti i hershëm - tek periudha postantike”; Prof. Dr. Vaso Tole mbi temën “Variacione muzikore dhe formacione folklorike nga trevat e ndryshme të Dibrës. Lloje dhe zhanre të vjetra muzikore. Dukuri të krijimtarisë së rapsodit popullor Hazis Ndreut”; Prof. Dr. Ferid Duka me temën “Kastriotët dhe principata e tyre. Të tjerë princër dibranë - Moisi Golemi, etj. Timaret”; Dr. Shefqet Hoxha me temën “Dibra dhe dibranët në luftërat kundër okupacionit serb” dhe Prof. Dr. Hasan Çipuri: “Arti ushtarak shqiptar në epokën e Skënderbeut.”
“E veçanta e këtij sesioni, tha për gazetën Kryetari i Shoqatës LID, Prof. Nuri Abdiu, është përpjekja e bërë, që rikrijimin e imazhit të Dibrës dhe të dibranëve, mendësive dhe kulturës së saj ta bëjmë në mënyrë sa më të paanshme, duke lënë që ta flasin dokumentet dhe studimet e jodibranëve dhe të të huajve. Gjithashtu, shtoi ai, kjo veprimtari serioze, ky sesion shkencor, nuk mund të realizohej pa ndihmën e madhe të biznesmenëve dibranë që kanë sponsorizuar përgatitjen dhe mbajtjen e tij. Nuk mund të realizohej dhe pa ndihmën e specialistëve që përgatitën kumtesat, historianëve, antropologëve, etnologëve, filozofëve, muzikologëve, gjuhëtarëve të njohur e të tjerë”.
Një kronikë mbi historinë, arkeologjinë, etnografinë, natyrën dhe Odën dibrane, e përgatitur nga gazetari i vjetër i Televizionit Shqiptar Sami Selishta shoqëroi këtë aktivitet, duke i dhënë një pamje më të plotë historisë së Dibrës.
Musa Ricku, njëri nga biznesmenët dhe intelektualët dibranë, që mbështeti fuqishëm këtë veprimtari dhe sponsorizoi botimin e librit “Dibra me sytë e të huajve”, tha për gazetën se kjo ishte vetëm një përpjekje për evidentimin e vlerave dibranë në metropolin shqiptar. Shoqata LID dhe biznesmenët dibranë do të organizojnë veprimtari e botime të tjera me më shumë vlerë, për ta vendosur Dibrën në vendin që i takon në historinë e Shqipërisë”.