Lajme nga Shoqata

Dibranët në Nju Jork, komunitet i rëndësishëm (Koha.mk)

new shad

Në shtator mërgimtarët dibranë në SHBA do të organizojnë një regjistrim të komunitetit. Ajo është një nevojë e kohës dhe numri i saktë i dibranëve është i nevojshëm për shumë aspekte, thekson kryetari i Shoqatës Atdhetare Dibra, Dashi Miftari

Vjollca SADIKU

Mërgata dibrane në Shtete e Bashkuara  të Amerikës, është e organizuar në Shoqatën Atdhetare – Dibra, e cila funksionon disa dekada në Nju Jork. Kjo shoqatë jep një kontribut të madh si në drejtim të ruajtjes së traditave dibrane dhe kombëtare, ashtu edhe në organizimin e aktiviteteve të shumta me rastin e festave kombëtare, bashkëpunimin me shoqatat shqiptare, por njëkohësisht edhe në lidhjet që ka diaspora dibrane në SHBA me vendlindjen – Dibrën. Të dhënat e kësaj shoqate thonë se dibranët e parë, të cilët kanë migruar në SHBA janë evidentuar viteve të 30-ta, por pjesa dërmuese e migrimit ka ndodhur viteve të 70-ta, 8o-ta dhe ky migrim është duke vazhduar edhe sot. Pjesa më e madhe ka migruar në SHBA për shkaqe ekonomike, por një pjesë e konsiderueshme edhe për shkaqe politike, meqë kanë qenë në kontinuitet të persekutuar nga sistemi komunist jugosllav.

 

Dibranët, me biznese të shumta

Ditë më parë u zgjodh kryesia e re e Shoqatës Atdhetare Dibra, në Nju Jork. Kryetari i ri i Shoqatës, Dashi Miftari, i cili këto ditë qëndron në vendlindjen e tij – Dibrën, thekson se shoqata është strofull e aktiviteteve të shumtë të komunitetit dibran, dhe ka aprovuar programin vjetor, i cili është duke u realizuar. “Të dhënat tona thonë se numri i dibranëve në SHBA është rreth 20 mijë. Por, në shtator do të realizohet një regjistrim i tërësishëm i dibranëve, sipas të cili do ta dimë saktësisht se sa dibranë ka në Amerikë”, thotë kryetari i Shoqatës, Dashi Miftari. Ai shton se sot dibranët në Amerikë nuk janë më vetëm punëtorë të thjeshtë në ndërtimtari, por ata kanë biznese të tyre dhe janë duke kryer profesione të ndryshme intelektuale. Duke komentuar shkollimin e rinisë dibrane në Amerikë, Miftari thotë se në institucionet shkollore përfshirja e dibranëve është maksimale. Viteve të fundit një vlerësim të këtillë ka edhe për të rinjtë dibran, të cilët janë studentë në fakultete të ndryshme.

“Sot atje kemi mjekë, inxhinierë, profesorë si dhe një numër të madh të biznesmenëve, të cilët kanë edhe një fuqi të madhe ekonomike”, shton Miftari dhe thekson se kjo mërgatë ka edhe një potencial të madh ekonomik. Duke marrë parasysh këtë situatë, tani më edhe vet shoqata realizon aktivitete të shpeshta dhe të shumta në shënimin e datave dhe festave kombëtare, realizimin e projekteve për shkollimin e fëmijëve në gjuhën shqipe etj. Shoqata në bashkëpunim me Qendrën dibrane në Nju Xhersi, aktualisht është duke realizuar shkollim fakultativ për fëmijët dibranë në gjuhën shqipe. Janë angazhuar arsimtarë, të cilët kanë mbi 50 nxënës e që janë të moshave të ndryshme, me qëllim që të mësojnë gjuhën letrare shqipe. Qendra në fjalë ka një përkrahje të madhe të prindërve dhe rezultatet janë shumë pozitive. Sipas kryetarit të kësaj shoqate, aktualisht në bashkëpunim me avokatin e njohur në SHBA, dibranin Fatos Koleci, u jepet ndihmë profesionale pa pagesë dibranëve të cilët kanë probleme me dokumentacionin me institucionet për emigracion në SHBA, por edhe me dibranët të cilët kanë probleme me shtetin në Maqedoni, në lidhje me shtetësinë.

 

Synohet Komunën State Island

Nga Shoqata dibrane paralajmërojnë edhe ndikimin e tyre më të madh në jetën politike amerikane. Bashkëbiseduesi ynë thekson se deri tani si Shoqatë jo qeveritare nuk është marrë me një ndikim të drejtpërdrejtë në politikë. Duke marrë parasysh se pjesa dërmuese e dibranëve, mbi 70 për qind jetojnë dhe punojnë në Komunën State Island të shtetit të Nju Jorkut, ka mundësi objektive që në Këshillin e kësaj komune të zgjidhen edhe dibranë. Kemi potencial kadrovik dhe intelektual, të cilët mund të zgjidhen në zgjedhjet lokale në organet demokratike të kësaj komune. Deri tani dibranët kishin edhe problemet e tyre ekonomike, thotë kryetari i Shoqatës Miftari, i cili shton se tani pjesa më e madhe e dibranëve nuk kanë probleme materiale, jetojnë shumë mirë dhe shprehin interes për pjesëmarrje në politikë.

Një vend të veçantë në programet e punës së shoqatës dibrane në SHBA, ka edhe bashkëpunimi me shoqatat mbarëshqiptare në SHBA si dhe bashkëpunimi me pushtetin vendor të Dibrës. “Këto ditë në Dibër patëm takime me kryetarin Ruzhdi Lata. Përcaktuam agjendën e bashkëpunimit dhe dhamë vlerësimin se duhet të ripërtërihet bashkëpunimi i Komunës Dibër me Komunën State Island, me të cilën Komuna e Dibrës vite me parë ka nënshkruar memorandum për bashkëpunim. Shoqatat, nëpërmjet lobi grupeve do të tentojë të rrisë numrin e mërgimtarëve dibranë, të cilët do të investojnë në vendlindje, thotë Miftari dhe sqaron se interesimi për investime në Dibër është në rritje. .”Presim që të ketë një rritje rapide të investitorëve nga migrimi”, thekson kryetari i Shoqatës, Dashi Miftari.

Traditat dibrane janë prezent në të gjitha familjet e mërgimtarëve dibran në SHBA. Ato ruhen me fanatizëm dhe në çdo familje dibrane në Nju Jork, Nju Xhersi, Bruklin, Çikago, por edhe në vende të tjera, traditat dibrane janë një element kryesor i jetës të mërgimtarit dibran. Dasmat dibrane në Amerikë bëhen ashtu siç bëhen edhe në vendlindje. Një vend të veçantë në familjet dibrane kanë edhe gatimet dibrane, të cilët janë prezent sidomos në manifestimet dhe ceremoni të ndryshme.

Mërgimtarët me një interes të veçantë ndjekin edhe situatën politike në vendlindje. Sidomos, ata i intereson situata me listat zgjedhore. Dibranët në SHBA kërkojnë nga partitë politike shqiptare në vend që ata të zgjidhin në mënyrë objektive këtë problem. Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni, nuk u mundësua votimi i shumë dibranëve, edhe pse janë shtetas të Maqedonisë. Kjo nuk guxon të ndodhë në të ardhmen, thekson kryetari i Shoqatës Dibra, Dashi Miftari.

http://koha.mk/aktuale/43589-dibranet-ne-nju-jork-komunitet-i-rendesishem.html

One Response

  1. I lumte dora gazetares qe kujtohet per mergimtaret qe te shkruaj. Sukseseeeee

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *