Art dhe Kulture Lajme nga Shoqata Uncategorized

Dibranët festuan Vitin e Ri 2017 (New York)

Nga Keze Kozeta Zylo

Shoqata atdhetare “Dibra” në New York së bashku në ndërrimin e motive 2016 të-2017të

Në mjediset lluksose të hotelit “Hilton” në Staten Island, shoqata atdhetare “Dibra” e priti me plot hare, këngë e valle Vitin e Ri 2017-të. Familjet dibrane vinin grupe grupe dhe uronin njeri tjetrin: “Gëzuar Vitin e Ri 2017-të”. Salla e mbushur nga qindra vetë gumëzhinte nga njerëzit, por ajo qe i jepte më shumë emocion dhe dukej sikur mbushte gjithë godinën me cicërima zogjsh ishin fëmijët e bukur dibranë.
Ndërsa matanë xhamave të sallës dukeshin pemët nudo të zhveshura nga stina e akullt e dimrit si skulptura të Mikelanxhelos, ku rrezet e Hënës së verdhë në portokalli si dhe dritat e Vitit të Ri të sillnin imazhin e penelit të Van Gogut “Path In The Woods”, sillnin reflekse të magjishme midis pemëve dhe shtegut midis krahëve të tyre.
Mbrëmjen e hapi artisti i mirënjohur, bilbili i Dibrës Haxhi Maqellara i cili pasi iu uroi gjithë shqiptarëve: “Gëzuar Vitin e Ri 2017-të” ftoi në skenë kryetarin e shoqatës atdhetare “Dibra” z.Dashnor Miftari i cili së bashku me kryesinë e shoqatës premton shumë për punë edhe më të bukura në shërbim të Kombit. Z.Miftari uroi gjithë pjesëmarrësit për një vit të mbarë dhe plot suksese dhe i la ata të gezojnë dhe vallëzojnë nën tingujt e muzikës së bukur shqiptare.
Duke dëgjuar dhe ndjekur nga afër aktivitetet e ndryshme të shoqatës atdhetare “Dibra” të cilët në shoqatën e tyre pranojnë çdo shqiptar medoemos këta të rinj që drejtojnë kryesinë si dhe gjithë Dibra të kujtojnë dhe sjellin ndërmend fjalët e Haxhi Vehbi Dibrës në Kuvendin e Vlorës, në Ditën e Flamurit, ditën e Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, ku, ndër të tjera tha: “Kristiani e myslimani janë vëllazën shqiptarë e të pandarë.” Haxhi Vehbi Agolli (Dibra), (12 mars 1867-24 Mars 1937) ishte klerik dhe aktivist politik shqiptar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i parë i Parlamentit të Shqipërisë dhe kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Mbrëmja entuziaste me këngë e valle u drejtua nga artisti i shquar dhe mjeshtri i fizarmonikës z.Raif Hyseni së bashku me orkestrën e tij, anetarët e së cilës janë Mirgjen Darova, Sevim Omer dhe Adrian Asllani. Z.Raif Hyseni nën interpretimin plot profesionalizëm në fizarmonikë me hapjet dhe mbylljet e saj duket sikur sjellë frymë, ajër në këto festa të bukura shqiptare. Ai së bashku me bashkëshorten e tij simpatike artisten e shquar dhe të dashur të shqiptarëve znj.Merita Halili janë një binom i shkëlqyer artistësh që debutojnë profesionalisht dhe plot kulturë. Zëri i saj u dëgjua si një kanarinë që duket se do na shoqërojë për gjithë vitin 2017-të dhe përgjithmonë.
Një zë i magjishëm që koordionoi bukur traditën me modernen ishte nga artisti i ardhur enkas nga Micigami, z.Florent Nushi. Interpretimi i tij ngriti peshë gjithë sallën, ku ciftet në krahët e njeri-tjetrit vallëzonin dhe këndonin së bashku. Tek ky artist nga Gjakova është kombinuar harmonishem talenti dhe kultura që ka marrë në Akademinë e Arteve. Debutimi plot kulturë nga artisti Nushi solli dhe më shumë emocion dhe më shumë hare në këtë mbrëmje mbresëlënëse.
Edhe debutimi i artistes së re ardhur nga Virxhinia znj.Amarda Arkaxhiu ishte i bukur, i ngrohtë, dëgjohej dhe kërcehej me endje nga pjesëmarresit. Energjia e pashterrshme e saj sillte dhe më shumë entuziazëm vecanërisht tek të rinjtë që s’duan të ulen kurrë në natën magjike të Vitit të Ri…
Dy artistët e mrekullueshëm, dy vëllezërit Haxhi dhe Agron Maqellara gjithmonë sjellin emocion, interpretime profesionale për këngën e bukur lirike dibrane, këngën e bukur qytetare dhe plot mesazhe frymëzuese. Ata janë një familje arisitësh, ku dhe fëmijët e tyre po vazhdojnë traditën. Vlen për të përmendur nga familja e tyre tenorin Blerar Maqellara një djalë që edhe pse në moshë të re arriti të jetë superstar në shkollën publike amerikane “S.E.Wagner” me mijëra studentë ku ai u përzgjodh në rolet kryesore në shfaqjet teatrale tejet të mirënjohura, marrë nga Brodway show. Jam e sigurtë në ëndrrën time që një ditë do ta shoh Bledarin në skenat më të famshme. Shumë këngë të interpretuara prej tyre janë të shkruara nga kantautori Haxhi Maqellara i cili është vlerësuar jo vetëm si artist por dhe si debutues për çështjen kombëtare. Kënga e tij për Tiranën ngre lart shpirtin punëtor dibran, krenarinë e ligjshme të saj dhe ja se si në këto vargje:
“Aty hëngrëm bukë e krypë/ Tuj punu, e jo tuj lypë”…
Pjesëmarrësit u argetuan gjithashtu dhe nën tingujt muzikor të “DJ Loni”.
Mbyllja e kësaj mbrëmje festive mbresëlënëse do të mbahet mend gjatë kur salla u mbush me zërat e të gjithë artistëve të cilët u bashkuan në skenë duke interpretuar së bashku këngë të ndryshme shqiptare. Harmonia e zërave të tyre dukej si një kompleks i bukur që solli hare dhe emocion më shumë.
Këtë natë të bukur festive e solli shoqata atdhetare “Dibra” me kryetar z.Dashnor Miftari dhe anëtarët e kryesisësi: Arbër Kuka/ Besar Dika/ Bekim Pacuku/ Bekim Papraniku/ Bekim Kosovrasti/ Gazmend Kërkuti/ Ibrahim Rexha/ Nderim Marke/ që edhe pse larg Atdheut mban gjallë dhe mbështetet në rrënjët e të parëve të tyre, është një shoqatë që ka brenda njerëz të cilët janë integruar me kulturë në botën amerikane çka të kujton personalitetin e shquar të Kombit, dibranin Josif Bageri i cili ka thënë: “Mjaft kom kjon kpuc mbaronjës/ Mjaft punova kët mjeshtri/ Tani due me kjon shkronjës/ Me sa t’di, Vjershtor të mbrri”.
Shoqata atdhetare “Dibra” së bashku me pjesëmarrësit e pritën me këngë e valle ndërrimin e motive të vitit 2016-të në 2017-të.
Gjithë aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life” New York me themelues dhe producent z.Qemal Zylo, aktivitet që do të transmetohet së shpejti në kanalet televizive.

1 Janar, 2017
Staten Island, New York

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *